Themeluesi i Microsoftit dhe filantropisti Bill Gates mori pjesë në një panair teknologjie në Seatlle të shtetit Washington, ku foli rreth një projekti të ri të fondacionit të tij për të prodhuar një tip tualeti për afro 2.5 miliardë njerëz në botë, të cilët nuk kanë kanalizime moderne për ujërat e zeza. Shkencëtarët në mbarë botën i janë përveshur punës mbi këtë sfidë, ndërkohë që dje fondacioni Bill dhe Melinda Gates njoftoi disa projekte që do të kenë më shumë financime për të vënë në praktikë idetë e eksperimentuara në laborator.
“Konstruksioni aktual i banjës ka një problem real. Përdor shumë ujë dhe kërkon sistem të kushtueshëm për sjelljen e ujit të pastër, i cili pastaj bëhet i papërdorshëm. Pastaj ky sistem i kushtueshëm i largon ujërat e zeza që shkojnë në një impiant trajtimi. Faktikisht, sasia e ujit të përdorur në banjë është 10 herë më e madhe sesa ajo që përdoret për konsumim nga njeriu”, tha Gates, njofton Zëri i Amerikës.
Që të kualifikohesh nga fondacioni, banja e ardhshme duhet të funksionojë pa ujë të rrjedhshëm, pa energji elektrike dhe pa sistem të ujërave të zeza, të mos shkarkojë ndotës, preferohet të përftojë energji apo burime të tjera dhe të funksionojë me një kosto prej 5 centësh të dollarit në ditë.
Chris Elias është president i Zhvillimit Global me fondacionin Bill dhe Melinda Gates.
“Jemi mësuar me banjën e lidhur me sistemin e kanalizimeve dhe sistemin e ujit të pastër, kështu që është luks të shkarkosh 4 litra ujë sa herë që përdor banjën. Pos kësaj, shumë vende nuk kanë ujë të mjaftueshëm”, tha ai
Kombet e Bashkuara përllogarisin se sëmundjet e shkaktuara nga problemet sanitare janë përgjegjës për rreth gjysmën e të shtruarve në spitale në botën në zhvillim.
Rreth 1.5 milionë fëmijë vdesin çdo vit nga sëmundjet infektive. Shkencëtarët besojnë se shumica e vdekjeve mund të parandalohen me rregullimin e problemeve sanitare, si dhe me sigurimin e ujit të pijshëm të pastër dhe përmirësimin e higjienës.
Ekspertët e fondacionit pritet ta testojnë tipin e parë brenda tre vjetëve të ardhshëm. Shumë prej modeleve riciklojnë mbetjet në substanca të tjera si ushqim për kafshët, ujë për vaditje apo vetëm ujë dhe energji për vetë sistemet.
Ky projekt i fondacionit filloi rreth një vit më parë. Të martën, Gates njoftoi se fondacioni ka caktuar 370 milionë dollarë për shpikjen e tualetit që nuk shpenzon ujë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment